Bashkia Përmet dhe komuna Çarshovë duan një Park Kombëtar në vend të digave

Përmet, Vienë, Radolfzell, 19 dhjetor 2014. Të mërkurën dhe të enjten (dt. 17-18.12.2014) u zhvilluan diskutimet e para publike për të ardhmen e Luginës së Vjosës, në Çarshovë dhe Përmet në jug të Shqipërisë. Ndërsa planet zyrtare të qeverisë parashikojnë ndërtimin e tetë digave përgjatë gjithë lumit, kryetarët dhe populli i komuniteteve të prekura mbështesin idenë alternative të krijimit të një Parku Kombëtar. Në këto takime u nënshkrua një deklaratë për të ndaluar projektet e digave dhe për të mbrojtur lumin si Park Kombëtar. “Takimet e Vjoses” do të vazhdojnë vitin e ardhshëm me diskutime të ngjashme më komunitetet përgjatë luginës.

Komuniteti lokal në mbështeje të idesë Vjosa Park Kombëtar. (c) R. Tasho

150 persona kanë ndjekur ftesën tonë, gjithashtu dhe kryetarët e qeverisjes lokale kanë marrë pjesë në diskutimet për të ardhmen e luginës së tyre. Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve – shpjeguan efektet që do të ketë ndërtimi i digave dhe idene për të mbrojtur të gjithë gjatësinë e lumit, nga malet në det, si një Park Kombëtar.

“Ne jemi mirënjohes për një informacion të tillë dhe mundesinë që na u dha për të diskutuar në lidhje më këtë çështje. Ne nuk duam ndërtimin e digave, por në vend të tyre duam Vjosën Park Kombëtar. Në këtë mënyrë, ne mund ta mbrojmë lumin tonë dhe ta mirëmbajmë atë për të ardhmen tonë ekonomike”, thotë Veli Mehmeti, kryetari i komunës Çarshovë. Kolegu i tij Gilberto Jace, kryetari i bashkise Përmet, shprehet: “Ne jemi në favor të një parku kombëtar, pasi ai mund të promovojë zhvillimin e ekoturizmit të qëndrueshëm dhe si rezultat, të përmirësojë gjendjen ekonomike të rajonit. Megjithatë, ai duhet të jetë një park kombëtar sipas standardeve ndërkombëtare të menaxhimit dhe jo një i tillë që ekziston vetëm në letër, si disa të tjerë në Shqipëri.”

Arta Dade, deputete, e cila mori pjesë në takimin në Çarshovë thotë: “Unë gjithashtu e mbështes idenë e një parku kombëtar dhe do të informoj parlamentarët në lidhje me këtë. Unë shpresoj fuqimisht, se ne mund ta shpetojmë këtë lumë të bukur.”

Vjosa në jug të Shqipërise është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës. Përgjatë rrugës së saj prej 270 kilometrash ajo rrjedh lirshëm dhe e paprekur. Në disa zona shtrati i lumit zgjerohet mbi më shumë se 2 km. “Vjosa është si një gur i çmuar në kurorën e lumenjve të egër të Evropës. Ndërtimi i digave të planifikuara do ta shkatërronte këtë peisazh mbresëlënës, duke përfshirë edhe habitatin e shumë gjallesave të rrezikuara,” paralajmëron Ulrich Eichelmann nga Riverwatch, koordinator i fushatës ndërkombëtare “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, fushatë e cila është ndërmarrë nga Riverwatch dhe Euronatur në bashkëpunim me OJF-të partnere lokale si EcoAlbania në Shqipëri.

“Ne do të kundërshtojmë projektet e digave në rajon dhe do të luftojmë për idenë e një parku kombëtar,” përfundon Olsi Nika, koordinatori i projektit.

Takimet u organizuan në kuader të fushatës ndërkombëtare ” Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës ” dhe janë pjesë e një serie aktivitetesh të ngjashme përgjatë luginës së lumit Vjosa. “Takimet e Vjosës” do të vazhdojnë vitin e ardhshëm me konferenca në Tepelenë, Memaliaj, Selenicë dhe Novoselë, nga janari në prill dhe do të përfundojnë me “Ditën e Vjoses” në Tiranë në maj 2015.

Për më shumë informacion:

www.balkanrivers.net | www.euronatur.org | www.riverwatch.eu 

Besjana Guri – EcoAlbania   |   [email protected] |   00355 692954214

Theresa Schiller – EuroNatur  |  [email protected]   |  0049 7732 927210

Cornelia Wieser – Riverwatch |  [email protected]   |   0043 650 4544784

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *