Energy Talk – Takim me të rinjtë e Tiranës

EcoAlbania ka kënaqësinë t’ju ftojë të merrni pjesë në takimin për të rinjtë “Energy Talk – të flasim për energjinë” i cili do të mbahet në datën 28 shtator 2017 ora 16:00, tek Destil Hostel Tirana, salla Alternative Space, rruga “Qamil Guranjaku”, 1001 Tiranë (përballë Liceut Artistik “Jordan Misja”).

Ky takim organizohet në kuadër të projektit “Së bashku – një sy për mjedisin” dhe mundësohet financiarisht nga Ambasada Suedeze nëpërmjet programit SENiOR-II i zbatuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit – REC Shqipëri.

Folësit, Z. Gjergji Simaku, Drejtor pranë “Drejtorisë së Burimeve Energjitike të Rinovueshme dhe Efiçencës Energjetike”, Ministria e Energjisë dhe Industrisë; dhe Z. Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv, Akademia e Studimeve Politike do të trajtojnë çështje dhe tema me interes për efiçencën e energjisë, legjislacionin përkatës, hapat që vendi ynë ka bërë deri më sot, praktikat më të mira të përdorimit efiçent të energjisë, përmirësimi i infrastrukturës për konsumatorin, etj. Një theks i veçantë do të vihet tek zhvillimi ekonomik dhe rritja e standardeve të jetesës që mund të vijnë si rezultat i zbatimit të këtij legjislacioni dhe këtyre praktikave.

Në fund të prezantimeve do të ketë një performancë muzikore e cila do të jetë e shoqëruar me një pije.

Janë të inkurajuar të aplikojnë studentë të degëve mjedisore/inxhinierike, ekspertë të rinj, punonjës të rinj pranë institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile që punojnë me çështjet e energjisë dhe mjedisit, nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Pjesëmarrja është pa pagesë.

Për të aplikuar, plotësoni formularin online deri më datë 21 shtator 2017ose shkarkoni dokumentin këtu dhe dërgoni formularin e plotësuar në adresën e-mail: contact@ecoalbania.org