Forumi i dytë Publik kundër urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta

Njoftim për shtyp nga Koalicioni i organizatave mjedisore në mbrojtje të PK Divjakë-Karavasta

++Mega Resorte -Mega Probleme! Ekspertët ngrenë alarmin: Po humbasim Parqet Kombëtare!++

Tiranë, datë 21 nëntor 2017. U zhvillua forumi i dytë publik mbi ndikimet negative të projektit urbanizues të “Mabetex Grup” në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Në forumin e dytë të shoqërisë civile kishte pjesëmarrje të të rinjve, ekspertëve, deputetit të zonës e aktivistëve të mjedisit, të cilët u njohën me disa nga aspektet e pa trajtuara në forumin e parë publik të mbajtur më 9 nëntor 2017.

Nga e majta në të djathtë: Ardian Shehu, gjeolog; Besnik aliaj, planifikues urban; Mihallaq Qirjo, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Rajonale të Mjedisit, moderator i forumit; Valbona Kuko, Drejtore Ekzekutive e LëvizAlbania; Ols Lafe, aekeolog
Nga e majta në të djathtë: Ardian Shehu, gjeolog; Besnik Aliaj, planifikues urban; Mihallaq Qirjo, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Rajonale të Mjedisit, moderator i forumit; Valbona Kuko, Drejtore Ekzekutive e LëvizAlbania; Ols Lafe, aekeolog. (c) B.Guri/EcoAlbania

Ekspertë të gjeomorfologjisë, trashëgimisë kulturore-historike dhe të planifikimit e menaxhimit të qëndrueshëm të zonave të mbrojtura shpjeguan se si do të ndikonte ky projekt në ekzistencën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe sa i rëndësishëm është vlerësimi i kostove dhe përfitimeve në këtë rast. PK Divjakë-Karavasta ka vlera të jashtëzakonshme mjedisore, kulturore dhe turistike, të cilat mund të shfrytëzohen vetëm përmes një planifikimi të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin në terma afatgjatë.

“Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një vend i pasur nga pikëpamja arkeologjike, trashëgimia kulturore por edhe monumentale dhe ndodhet në një kryqëzim shumë të favorshëm edhe nga pikëpamja kulturore. Ai nuk është vetëm aset i fuqishëm dhe brilant nga për sa i përket biodiversitetit, por edhe prej vlerave kulturore të tij” tha Ols Lafe, arkeolog.

Projekti urbanizues i “Mabetex” synon zënien dhe tjetërsimin e 10% të territorit të Parkut, ndërkohë që infrastruktura shoqëruese, mbështetëse (rrugë, ndriçim, rrjet elektrik, dallgë-thyes. etj.) “Ky zhvillim në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta është në kundërshtim me Planin Hapsinor Kombëtar dhe vizionin kombëtar të zhvillimit të territorit. Çdo ndërhyrje e kësaj natyre  do të përhapet si një kancer duke shkatërruar përfundimisht ekuilibrat e kësaj zone delikate”, tha Besnik Aliaj, ekspert i planifikimit urban.

Në forumin e dytë të shoqërisë civile kishte pjesëmarrje të të rinjve, ekspertëve, deputetit të zonës e aktivistëve të mjedisit. ©
Në forumin e dytë të shoqërisë civile kishte pjesëmarrje të të rinjve, ekspertëve, deputetit të zonës e aktivistëve të mjedisit. (c) B. Guri/ EcoAlbania

I shtrirë në mbi 12 km vijë bregdetare projekti parashikon ndërtimin e 2400 apartamenteve, 370 vilave, një vendpushim turistik prej 90 ha me kapacitet maksimal pritës 18,000 turistë/ditë. Sipas Ardian Shehu-t, Inxhinier gjeolog, ndërtimi i planifikuar nga Mabetex do të ndryshojë në mënyrë artificiale gjithë vijën bregdetare. Në këtë zonë dinamika sedimentare është shumë e lartë, rrjedhimisht vija bregdetare do të jetë në ndryshim të vazhdueshëm dhe si pasojë Mabetex do të ndërhyjë më tej duke e shkatërruar përfundimisht zonën, shtoi ai.

Informacion shtesë:

Ky forum organizohet si pjesë e fushatës ndërgjegjësuese «Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta», të ndërmarrë nga një grup organizatash kombëtare (AOS, EcoAlbania, LexFerenda dhe Pseda-Iliria) e cila mbështetet nga LëvizAlbania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Ky është forumi i dytë publik që koalicioni i shoqërisë civile organizon për të ndërgjegjësuar publikun mbi ndikimet negative të projektit urbanizues në PK Divjakë-Karavasta i cili do të pasohet me 1 forum tjetër si dhe fushatë mediatike.

Gjeni këtu Spotin ndërgjegjësues nr. 1 si dhe këtu Spotin ndërgjegjësues nr. 2, të prodhuar në kuadër të fushatës «Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta».

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *