Shkencëtarët kritikojnë projektet e digave në Vjosë

++Shkencëtarët nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania kërkojnë moratorium për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin e fundit të egër në Evropë dhe një periudhë 3 vjecare studimesh++

Tiranë,  8 Qershor 2016. Në datat 8 deri më 10 qershor, ekspertët ndërkombëtar nga Universiteti i Vjenës, Agjencisë Federale të Mjedisit në Austri, Instituti i Leibniz i Ekologjisë së Ujit dhe Peshkimit (Gjermani), u mblodhën me shkencëtarët shqiptar nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës për të diskutuar mbi të ardhmen e lumit Vjosa. Ata firmosën një memorandum të përbashkët të cilin ia dorëzuan Zv. Ministrit të Mjedisit Kledi Xhaxhiu.

Lumi Vjosa është lumi i fundit i mbetur natyror në Evropë. Në rrjedhën e saj prej mbi 270 km ajo rrjedh ende e lirë dhe e pandërprerë nga digat. Në disa pjesë të lumit shtrati shkon deri në 2 km gjerësi. Sipas shkencëtarëve, ky system lumor është pothuajse i pa studiuar. Qeveria shqiptare së fundmi ka marrë vendimin për ndërtimin e një hidrocentrali të madh me digë në Poçem. Diga e Poçemit planifikohet të jetë 25 m e lartë e cila do të përmbytë pjesën ekologjikisht më të rëndësishme dhe njëkohësisht më të pastudjuar në gjithë basenin e Vjosës.

Me shume se 65 profesore te Universitetit te Tiranes u mblodhen bashke per te sjelle ne vemendje rendesine e realizimit te studimeve te thelluara ne pellgun ujembledhes te Vjoses. (c) B. Guri/EcoAlbania

Shkencëtarët nga Shqipëria, së bashku me kolegët nga Austria dhe Gjermania janë angazhuar në kundërshtimin e këtyre planeve. Në memorandumin e përbashkët ata i adresuan Qeverisë Shqiptare kërkesat e mëposhtme:

  1. Kërkojmë që Vlerësimet e Ndikimit në Mjedis për cdo projekt hidrocentrali duhet të ndjekin në mënyrë strikte standardet e BE.
  2. Rekomandojmë fuqimisht një moratorium 3 vjecar për ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vjosa dhe degët e saj.
  3. Kërkojmë fillimin e një programi ndërdisiplinor kërkimi dhe vlerësimi për sisitemin lumor të Vjosës në bashkëpunim me shkencëtarët kombëtar dhe ndërkombëtar.

Shkencëtarët shqiptar kritikuan në veçanti cilësinë e Raporteve të Ndikimit në Mjedis (VNM) të cilët janë miratuar nga qeveria gjatë fazës së planifikimit të hidrocentraleve. “VNM-të në Shqipëri zakonisht nuk janë realiste. Njohuritë tona mbi florën dhe faunën po ashtu dhe gjendjen e transportit të sedimenteve për sa i përket sistemit lumor të Vjosës janë shumë të kufizuara për të realizuar një VNM të besueshme. Kemi mungesë të dhënash dhe kërkimi shkencor”, tha Prof. Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës.

 “Si një vend kandidat, Shqipëria këshillohet të ndjekë procedurat e hartimit të VNM-ve sipas standardeve të BE. Në duam të mbështesim qeverinë Shqipëtare për ta bëtë këtë”, thotë  Robert Konecny nga Agjencia Federale e Mjedisit në Austri.

 “Vjosa është sistemi lumor i fundit me rrjedhje të lirë në Evropë. Në një këndvshtrim mbarë Evropian, ky lumë duhet të ruhet me çdo çmim. Duhet të punojmë sëbashku për të parandaluar gabimet që ne kemi bërë në të shkuarën me lumenjtë tanë në Gjermani, Austri, etj”, tha Dr. Martin Pusch nga Instituti i Leibniz i Ekologjisë së Ujit dhe Peshkimit (Gjermani).

Për këtë arsye, shkencëtarët kërkojnë një moratorium 3 vjeçar për çdo ndërtim mbi lumin Vjosa në mënyrë që të realizohet një program studimor kërkimor i thelluar gjatë kësaj periudhe. “Në Vjosë ne mund të gjejmë mundësinë unike për të zbuluar lidhjet ekologjike në sistemet lumore të pandëmtuara. Lumi shërben si një laborator natyror i cili mund të na ofrojë të dhëna të cilat do të duhen për të kuptuar proceset e rinatyralizimit të lumenjve të tjerë në Evropë”, tha Prof. Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vienës.

Shkencëtarët premtuan asistencën e tyre për gjetjen e fondeve të nevojshme për programin studimor 3 vjeçar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *