Studim i përditësuar mbi HEC-et: Cunami i HEC-eve në Ballkan po përshpejtohet

++ 2800 HEC-e të planifikuar, 187 në ndërtim dhe më shumë se 1000 prej tyre brenda Zonave të Mbrojtura++

Vjenë, Radolfzell, Tiranë 30.11.2017. Cunami i HEC-eve ka filluar të vijë rrotull, në studimin e  përditësuar të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” vihet në dukje shtrirja e kërcënimit për zemrën blu të Evropës. Aktualisht nga Sllovenia në Greqi janë të planifikuar rreth 2800 HEC-e dhe 187 janë në ndërtim, ku më shumë se 1,000 (ose rreth 37%) prej tyre brenda Zonave të Mbrojtura të kategorive të ndryshme (118 brenda Parqeve Kombëtare, 547 brenda zonave Natura 2000 dhe pjesa tjetër në zonat e kategorive të tjera të mbrojtjes). Që nga viti 2015 janë ndërtuar rreth 160-180 HEC-e në gjithë rajonin.

Pamje nga punimet ne HEC-in e Parkut Kombetar te Valones © Mirjan Aliaj

Pamje nga punimet për HEC-in në Parkun Kombëtar të Valbonës © Mirjan Aliaj

Në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” vlerësimet e zhvillimeve të HEC-eve ne Ballkan kryhen në mënyrë periodike. Krahasuar me vitin 2015, shpejtësia e shkatërrimit të lumenjve nga ndërtimet e hidrocentraleve është rritur ndjeshëm. Gjeni më shumë informacion në studimin e përditësuar të përgatitur nga Luvius. “Këto të dhëna vizualizojnë problemin duke e bërë atë lehtësisht të perceptueshëm. Ky cunam ndërtimi i HEC-eve po kërcënon zemrën blu të Evropës, pa repsektuar natyrën, speciet e kërcënuara, zonat e mbrojtura dhe njerëzit që jetojnë në brigjet e tyre. Lumenjtë po shkatërrohen, ujërat e tyre po devijohen dhe i gjithe peizashi po shkretohet”, thotë Ulrich Eichelmann, Drejtori i organizatës për mbrojtjen e lumenjve, Riverwatch.

Harta e HEC-eve ne lumenjte e Ballkanit © Fluvius

Harta e HEC-eve ne lumenjte e Ballkanit © Fluvius

Gabriel Schwaderer, Drejtori i Euronatur shton: “Promotori kryesor i kësaj vale të ndërtimit të HEC-eve është korrupsioni, qasja sipërfaqësore e shumë institucioneve financiare ndërkombëtare që i mbështesin këto projekte dhe moskuptimi i masave të duhura për mbrojtjen e klimës. Kjo duhet të ndalojë, përndryshe zemra blu e Evropës do të pushojë së rrahuri”.

Studimi tregon se Shqipëria renditet e para në dërtimin e HEC-eve ndërkohë që jemi pothuajse 100% të varur vetëm nga hidroenergjia. Ndërtimi i HEC-eve të tjerë nuk do të rrisë sigurinë energjitike për aq kohë sa nuk po investohet në drejtim të diversifikimit të burimeve të energjisë. Ky orientim në fakt po shkatërron vlerat natyrore që Shqipëria ka si aset për zhvillimin e qëndrueshëm përmes turizmit”, thekson Olsi Nika, Derjtori Ekzekutiv i EcoAlbania-s.

Pamje nga punimet e HEC-it ne lumin Sana, Bosnje dhe Hercegovina © Matic Oblak

Pamje nga punimet e HEC-it në lumin Sana, Bosnjë- Hercegovinë © Matic Oblak

Duke krahasuar studimin e fundit me atë të vitit 2015, të dhënat tregojnë se:

  • Shpejtësia e ndërtimit të HEc-eve të reja po rritet ndjeshëm. Aktualisht janë në ndërtim rreth 187 HEC-e, ndërkohë që në vitin 2015 ishin vetëm 61.

  • Zonat më të prekuara nga ky shkatërrim janë Shqipëria (81 HEC-e në ndërtim), Serbia (30), Maqedonia (22) dhe Bosnia dhe Herzegovina (19).

  • Në vëtëm dy vitet e fundit, janë ndërtuar afërsisht 160-180 HEC-e.

  • 91% e HEC-eve që janë aktualisht në ndërtim janë planifikuar me fuqi të instaluar më pak se 10 MW, për të cilat nuk është e nevojshmë përgatitja e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM).

Për informacion më të zgjeruar mund të gjeni raportin e plotë këtu.

 

Informacion i përgjithshëm:

Fushata “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” është një iniciativë e përbashkët e ndërmarrë nga OJF-të Euronatur dhe Riverwatch. Së bashku me OJF partnere në vendet e Ballkanit si EcoAlbania në Shqipëri, fushata ka si synim ndalimin e shkatërrimit të lumenjve më me vlerë të Evropës, nga ndërtimi i hidrocentraleve.