++ Pas rrethimit dhe protestave, shkencëtarët flasin nga terreni: Pishë Poro–Narta nuk mund të përballojë urbanizimin
++ Mes tensioneve për resortin në Vjosë, shkencëtarët japin alarmin: Dëmtimet kanë nisur
Tiranë, 21 qershor 2026 – Një grup shkencëtarësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë zhvilloi më 19–20 qershor 2026 një vizitë studimore në Zonën e Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, në deltën e lumit Vjosa, ku është planifikuar ndërtimi i një prej komplekseve më të mëdha turistike në bregdetin shqiptar. Ekspedita u organizua në kontekstin e punimeve paraprake ndërtimore të nisura më 5 maj 2026 dhe kishte për qëllim të ofrojë një vlerësim të shpejtë, të pavarur, profesional dhe të bazuar në evidencë mbi gjendjen e zonës, vlerat e saj natyrore dhe ndikimet mjedisore të ndërhyrjeve të kryera deri më tani.
Gjatë dekadës së fundit, sistemi lumor i Vjosës ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare dhe mbështetje të fortë nga komuniteti shkencor për shkak të gjendjes thuajse natyrore, veçanërisht për dinamikën hidromorfologjike kryesisht të paprekur dhe biodiversitetin e tij të jashtëzakonshëm. Vlera e këtij sistemi lumor si një trashëgimi natyrore unike është njohur nga Qeveria Shqiptare përmes shpalljes së Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë në vitin 2023.
Megjithatë, rajoni i deltës dhe hapësira e gjerë rreth saj nuk u përfshinë në këtë mbrojtje.
Vizita u përqendrua në dokumentimin e habitateve kryesore dhe vlerave ekologjike të kompleksit Pishë Poro–Nartë, identifikimin e specieve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe vlerësimin e rolit të zonës në ruajtjen e biodiversitetit bregdetar dhe në rrugët migratore të shpendëve. Vëmendje e veçantë iu kushtua integritetit ekologjik të sistemit të ndërlidhur lagunë–kripore–duna–pyll–lumë–det, një kompleks unik ekosistemesh tranzitore, funksionimi i të cilit mbështetet mbi ekuilibra natyrorë shumë të ndërlikuar dhe të ndjeshëm. Kjo vizitë vjen pas nisjes së punimeve paraprake ndërtimore në muajin maj 2026, të cilat kanë shkaktuar reagime të forta nga komunitetet lokale, organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e mjedisit dhe publiku i gjerë. Protestat, të cilat nisën në zonë në mesin e muajit maj, u shtrinë më pas në Tiranë, qytete të tjera të Shqipërisë dhe në diasporë.
Vëzhgimet e kryera në terren sugjerojnë se ndërhyrjet paraprake kanë sjellë tashmë pasoja të konsiderueshme mbi habitatet natyrore të zonës. Gjetjet paraprake përfshijnë:
- Dëmtime të habitateve të folezimit të breshkës së detit (Caretta caretta), specie e mbrojtur dhe e kërcënuar në shkallë globale, si pasojë e operacioneve me mjete të rënda përgjatë plazheve të Dajlanit dhe Portonovës;
- Ndikime mbi sistemet e dunave ranore, habitate prioritare për Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian, për shkak të depozitimit dhe ngjeshjes së materialeve të ndërtimit të përdorura për hapjen e rrugëve të brendshme;
- Ndërhyrje në kanalin e Portonovës, të cilat kanë potencialin të ndikojnë proceset e shkëmbimit të ujërave ndërmjet lagunës dhe detit, një mekanizëm thelbësor për funksionimin ekologjik të të gjithë kompleksit ligatinor;
- Fragmentim të habitateve dhe shtim të shqetësimeve për speciet e shpendëve që përdorin zonën për ushqim, pushim dhe shumim;
- Rritje të presionit antropogjen mbi një zonë me rëndësi të lartë kombëtare dhe ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës.
Prof. Friedrich Schiemer nga Universiteti i Vjenës vlerësoi rëndësinë e jashtëzakonshme të kompleksit Pishë Poro–Nartë në kontekstin mesdhetar, duke theksuar se ky përfaqëson një nga sistemet lagunore më të ruajtura në të gjithë pellgun e Mesdheut. Sipas tij, mozaiku i habitateve dhe shkalla e lartë e natyrshmërisë së proceseve ekologjike i japin zonës një vlerë të veçantë shkencore dhe konservuese. “Mbrojtja e deltës së Vjosës është urgjente. Studimet shkencore tregojnë se ajo është një nga deltat më të ruajtura në Mesdhe, me një mozaik unik habitatesh që mbështesin biodiversitet të jashtëzakonshëm dhe funksione të rëndësishme ekologjike. Aktualisht, kjo zonë përballet me kërcënime serioze nga projektet e turizmit masiv, të cilat rrezikojnë integritetin e ekosistemit. Ekspertët bëjnë thirrje për anulimin e planeve të zhvillimit me ndikim të lartë, integrimin e deltës në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa dhe promovimin e një modeli turizmi të qëndrueshëm që respekton kapacitetet natyrore të zonës.”, deklaroi Prof. Schiemer.
Prof. Perikli Qirjazi, nga Njësia e Kërkimeve Gjeografike u shpreh se “Zona e Vjosë–Nartës përmban tre monumente natyrore me vlera të jashtëzakonshme shkencore dhe ekologjike: dunat ranore të Nartës, unike në të gjithë Mesdheun; lagunën e Nartës, një ekosistem i lidhur ngushtë me ujërat e ëmbla; dhe kodrat molasike të Zvërnecit, formacione gjeologjike që dikur kanë qenë ishuj të veçuar. Këto monumente përfaqësojnë thesare të natyrës, arkiva të gjalla që dëshmojnë historinë e vijës bregdetare, ndryshimet klimatike dhe proceset natyrore që kanë formësuar zonën ndër shekuj. Ato shërbejnë si laboratorë natyrorë për studiues nga fusha të ndryshme dhe, si të tilla, meritojnë mbrojtjen më të lartë. Për këtë arsye, shkatërrimi i tyre nga ndërhyrje dhe investime intensive përbën një humbje të rëndë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për trashëgiminë natyrore të Mesdheut.“
Shkencëtarët pjesëmarrës nënvizuan se vlera e zonës nuk qëndron vetëm tek speciet e veçanta, por mbi të gjitha tek ruajtja e integritetit të një sistemi kompleks ekosistemesh tranzitore, ku laguna, kriporet, dunat, pylli, lumi dhe deti funksionojnë si pjesë e një tërësie të pandashme.
Në këtë kuadër, Prof. Aleko Miho nga Universiteti i Tiranës theksoi se ekuilibrat ekologjikë që mbështesin këto sisteme janë jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe se ndërhyrjet intensive urbane janë të papajtueshme me objektivat e ruajtjes së zonave të mbrojtura. “Ekosistemet tranzitore si Pishë Poro–Narta janë rezultat i proceseve natyrore të ndërtuara gjatë mijëra viteve. Lidhja funksionale mes lagunës, kriporeve, dunave, pyllit dhe detit krijon ekuilibra ekologjikë shumë delikatë, të cilët mund të prishen në mënyrë të pakthyeshme nga ndërhyrjet njerëzore, sidomos ato me karakter urban. Ndërtimi i resorteve turistike me intensitet të lartë brenda zonave të mbrojtura nuk është në përputhje me ruajtjen afatgjatë të këtyre ekosistemeve dhe rrezikon të transformojë në mënyrë rrënjësore karakterin dhe funksionimin e tyre natyror”, u shpreh Prof. Miho.
Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro–Nartë përfaqëson një nga zonat me biodiversitetin më të pasur në Shqipëri dhe gëzon njohje të rëndësishme në kuadër të konventave ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës. Zona është identifikuar gjithashtu si pjesë e rrjetit Emerald dhe si një nga zonat kandidate për t’u përfshirë në rrjetin ekologjik evropian Natura 2000 pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Rëndësia e saj shtrihet përtej kufijve kombëtarë, veçanërisht për sa i përket ruajtjes së shpendëve ujorë dhe migratorë.
Në këtë kontekst, Dr. Taulant Bino nga Universiteti POLIS vuri në dukje se kompleksi Pishë Poro–Nartë përbën një nyje të rëndësishme përgjatë korridorit migrator Adriatiko-Jonian dhe ofron habitate të pazëvendësueshme për ushqim, pushim, dimërim dhe folezim për qindra mijëra individë të dhjetëra specieve të shpendëve. “Simbolika e flamingove është e rëndësishme, por kjo betejë nuk bëhet vetëm për flamingot. Ajo bëhet edhe për pelikanët, për qindra lloje të tjera shpendësh dhe për të gjitha speciet që varen nga ky ekosistem unik. Është protesta e atyre që duan t’i mbrojnë këto vlera dhe t’ua trashëgojnë brezave të ardhshëm. Vetëm një ditë më parë, në Kriporen e Vlorës u vëzhguan rreth 2,000 flamingo në prag të sezonit të folezimit, ndërsa u regjistruan edhe specie të tjera që po kujdesen për të vegjlit e tyre dhe varen nga kushtet e qeta të habitatit për të mbijetuar. Këto kushte po bëhen gjithnjë e më të pasigurta për shkak të presionit të zhvillimeve të mëdha, nga Aeroporti i Vlorës deri te projektet e tjera turistike dhe infrastrukturore. E njëjta logjikë kërcënon edhe zona të tjera të mbrojtura si Butrinti, Karavastaja, Kune-Vaini dhe Velipoja. Prandaj, mbrojtja e Zvërnecit nuk është vetëm një çështje lokale; ajo lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e biodiversitetit në Shqipëri. Vetëm në këtë zonë janë të lidhura me habitatet ujore mbi 200 lloje shpendësh, shumë prej tyre të mbrojtura dhe të rrezikuara në nivel kombëtar. Nëse humbasim këto peizazhe, humbasim një pjesë të identitetit tonë natyror dhe kulturor që nuk mund të rikthehet më.”, tha Dr. Bino.
Prof Ferdinand Bego tregoi mbi vizitën dy ditore në Zvërnec: “Gjatë dy ditëve që kaluam në terren, pamë nga afër sesi dunat janë rrafshuar dhe sesi kjo ndërhyrje po paraqitet si një model bashkëjetese mes zhvillimit dhe natyrës. Megjithatë, shumë gjëra nuk po bëhen publike. Përtej deklaratave se “nuk ka projekt”, ajo që shihet në terren dhe në planet e zhvillimit tregon qartë një vizion urbanizimi në shkallë të gjerë, të paketuar me emra si “luxury resorts”. Në realitet, bëhet fjalë për zona të reja ndërtimi që do të zëvendësojnë një natyrë të krijuar ndër mijëra vite me beton dhe infrastrukturë. Kjo është veçanërisht shqetësuese për një vend që aspiron integrimin evropian dhe pretendon se ka përafruar legjislacionin e tij me standardet e Bashkimit Evropian. Po humbasim habitate të pazëvendësueshme, një pasuri të jashtëzakonshme biodiversiteti dhe laboratorë natyrorë që duhet t’u shërbejnë brezave të sotëm dhe të ardhshëm të studiuesve. Sado emra joshës t’u vihen këtyre projekteve, qoftë “Dubai” apo “Maldivet” shqiptare, humbësi i vërtetë do të jetë publiku dhe trashëgimia natyrore e vendit. Ne u ndjemë krenarë kur Vjosa u shpall Park Kombëtar, por nuk mund të pretendojmë se mbrojmë lumin ndërkohë që sakrifikojmë deltën e tij për interesat e një pakice”
Shkencëtarët pjesëmarrës do të vazhdojnë analizën e të dhënave të mbledhura gjatë ekspeditës dhe do të përgatisin një raport të detajuar shkencor mbi gjendjen e zonës dhe ndikimet e mundshme mjedisore të ndërhyrjeve të kryera deri më tani. Ata theksojnë se vendimmarrja mbi të ardhmen e një prej peizazheve më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë duhet të mbështetet mbi evidencën shkencore, mbi parimin e kujdesit dhe mbi ruajtjen e integritetit ekologjik të këtij kompleksi unik ligatinor me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
Informacion shtesë:
Delta e Vjosës është një zonë e nxehtë për biodiversitetin ku gjenden shumë (35) habitate të listuara në Direktivën e Habitateve të BE, me rëndësi të veçantë. Ajo njihet gjithashtu si zonë me rëndësi ndërkombëtare për shpendët dhe larminë bimore.
Të dhënat shkencore dhe krahasimi me ekosisteme të ngjashme të deltave në Mesdhe kanë konfirmuar vlerën e saj të jashtëzakonshme. Delta e Vjosës, së bashku me Lagunën e Nartës, është e pakrahasueshme në të gjithë pellgun e Mesdheut.
Propozimet aktuale për zhvillim masiv, në shkallë të gjerë, të turizmit luksoz do të shkaktonin dëme të pakthyeshme në këtë ekosistem unik. Për këtë arsye, ato janë të papranueshme, dhe në kundërshtim me statusin ligjor të zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë.
Komuniteti shkencor ndërkombëtar që mbështet këtë peticion bën thirrje për një strategji zhvillimi të kujdesshme dhe të balancuar, të bazuar në parimet e qëndrueshmërisë, si theksohet sot edhe nga Parlamenti Evropian.
Shkencëtarët i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare:
- Të anulojë projektet shkatërruese në zonën e deltës,
- Të sigurojë ruajtjen gjithëpërfshirëse të Deltës së Vjosës duke e përfshirë atë në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë,
- Të zhvillojë një model ekoturizmi miqësor me natyrën, në përputhje me vlerat e saj të jashtëzakonshme mjedisore.
Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro–Nartë, pjesë e deltës së lumit Vjosa, përfaqëson një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme dhe më të ruajtura në Mesdhe. Kompleksi i ndërlidhur lagunë–kripore–duna–pyll–lumë–det mbështet një biodiversitet të jashtëzakonshëm dhe shërben si habitat për qindra specie shpendësh, peshqish dhe organizmash të tjerë me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Zona gëzon mbrojtje sipas legjislacionit shqiptar, përfshihet në rrjetin Emerald të Këshillit të Evropës dhe konsiderohet një nga zonat kandidate për rrjetin Natura 2000 pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo njihet gjithashtu si një nyje e rëndësishme ekologjike përgjatë korridorit migrator Adriatiko-Jonian dhe si një nga peizazhet natyrore më të vlefshme të Evropës Juglindore.
Sipas dokumenteve dhe planeve të bëra publike, territori i deltës së Vjosës dhe zonat përreth janë subjekt i disa projekteve të mëdha turistike dhe urbane, përfshirë zhvillimin Sazan–Zvërnec, projektin e lidhur me Affinity Partners, masterplanin UMEA në Novoselë, projektin New Apollonia midis lumenjve Seman dhe Vjosa, si dhe zhvillime të tjera turistike përgjatë korridorit bregdetar Seman–Vjosë. Në tërësi, këto projekte parashikojnë ndërtime në qindra hektarë, me struktura akomoduese, vila, marina, infrastrukturë rekreative dhe rrjete transporti, duke ngritur shqetësime të konsiderueshme për ndikimet kumulative mbi integritetin ekologjik të një prej peizazheve natyrore më të rëndësishme të Shqipërisë dhe Mesdheut.
Contact:
Për më shumë informacion kontaktoni:
Kaltrina Hyka: [email protected] | +355 693253871
Cornelia Wieser: [email protected] | +43 6504544784
